Moti i lig përfshin Kosovën – ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona

04.08.2025

Kosova është përfshirë pasditen e së hënës nga reshje të dendura shiu dhe breshëri, të shoqëruara me erëra të fuqishme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, sidomos në infrastrukturën energjetike.

Sipas njoftimit zyrtar nga KEDS, më i prekur nga ky mot ekstrem është rajoni i Anamoravës, veçanërisht Gjilani dhe rrethina, ku për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike janë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh.

Kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj janë të mobilizuara maksimalisht dhe ndodhen në terren duke punuar pandërprerë për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me energji elektrike. Intervenimet po bëhen në të gjitha zonat e prekura, me prioritet rastet më të ndjeshme dhe më të rënda.

Ndërkohë, edhe rajonet e Pejës, Ferizajt dhe Prizrenit kanë raportuar disa ndërprerje më të vogla, ku ekipet e KEDS janë gjithashtu të angazhuara për sanimin e defekteve.

Nga KEDS kanë falënderuar qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar në këto kushte të vështira atmosferike, duke siguruar se punimet do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të situatës në të gjithë vendin.