Shqipëri, policia asgjëson mbi 16 mijë bimë kanabisi dhe sekuestron 320 kg drogë në tharje

03.08.2025

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”, me fokus parandalimin dhe asgjësimin e kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut Shkodër.

Gjatë një aksioni të fundit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe asgjësuar gjithsej 16,755 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, si dhe kanë sekuestruar 320 kilogramë degë kanabisi me boçe, të prera dhe në proces tharjeje, raporton platforma urgjent.com.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, komisariateve vartëse dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të dislokuara në këtë qark.

Sipas njoftimit zyrtar, në territorin e njësive administrative Pult, Shalë, Postribë dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë asgjësuar 15,852 bimë të dyshuara Cannabis Sativa dhe kanë sekuestruar 320 kg degë kanabisi në proces tharjeje.

Ndërkohë, në njësinë administrative Kastrat, Policia e Malësisë së Madhe ka zbuluar dhe asgjësuar 429 bimë kanabisi, ndërsa në njësitë Shllak dhe Temal, shërbimet e Komisariatit të Vaut të Dejës kanë gjetur dhe asgjësuar 474 bimë të tjera të dyshuara narkotike.

Policia bën të ditur se kontrollet vijojnë, dhe se po punohet intensivisht për identifikimin, kapjen dhe ndëshkimin penal të autorëve të përfshirë në rastet e kultivimit të paligjshëm.

Operacioni “Koordinata” konsiderohet një ndër ndërhyrjet më të mëdha të muajve të fundit në veri të vendit, duke goditur drejtpërdrejt rrjetet e kultivimit të bimëve narkotike.