Nga sot, certifikatat e gjendjes civile përmes eKosova vetëm pas deklarimit të adresës zyrtare të vendbanimit

01.08.2025

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) ka njoftuar qytetarët se, duke filluar nga sot, të gjithë ata që dëshirojnë të marrin certifikata të gjendjes civile përmes Platformës eKosova (si Certifikata e lindjes, Ekstrakti i lindjes, Certifikata e vendbanimit etj.), duhet më parë të deklarojnë adresën zyrtare të vendbanimit.

Ky ndryshim është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe ka për qëllim rritjen e saktësisë dhe sigurisë së të dhënave për shërbimet publike digjitale.

Si të deklaroni adresën zyrtare në eKosova?

Procesi i deklarimit është i thjeshtë dhe mund të kryhet në pak minuta përmes hapave në vijim:

  1. Identifikohuni në Platformën eKosova
  2. Zgjidhni seksionin “Shërbime”
  3. Klikoni mbi “Adresa”
  4. Zgjidhni shërbimin “Deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit”
  5. Plotësoni të gjitha të dhënat e kërkuara dhe klikoni butonin “Ruaj”

Pasi aplikimi juaj të aprovohet nga zyrtarët e gjendjes civile, do të mund të shkarkoni pa pengesa dokumentet e nevojshme përmes platformës.

Ky hap është pjesë e përpjekjeve të institucioneve për të digjitalizuar dhe thjeshtuar qasjen në shërbimet publike, duke garantuar një administratë më efikase dhe më transparente për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.