Nga sot, certifikatat e gjendjes civile përmes eKosova vetëm pas deklarimit të adresës zyrtare të vendbanimit
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) ka njoftuar qytetarët se, duke filluar nga sot, të gjithë ata që dëshirojnë të marrin certifikata të gjendjes civile përmes Platformës eKosova (si Certifikata e lindjes, Ekstrakti i lindjes, Certifikata e vendbanimit etj.), duhet më parë të deklarojnë adresën zyrtare të vendbanimit.
Ky ndryshim është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe ka për qëllim rritjen e saktësisë dhe sigurisë së të dhënave për shërbimet publike digjitale.
Si të deklaroni adresën zyrtare në eKosova?
Procesi i deklarimit është i thjeshtë dhe mund të kryhet në pak minuta përmes hapave në vijim:
- Identifikohuni në Platformën eKosova
- Zgjidhni seksionin “Shërbime”
- Klikoni mbi “Adresa”
- Zgjidhni shërbimin “Deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit”
- Plotësoni të gjitha të dhënat e kërkuara dhe klikoni butonin “Ruaj”
Pasi aplikimi juaj të aprovohet nga zyrtarët e gjendjes civile, do të mund të shkarkoni pa pengesa dokumentet e nevojshme përmes platformës.
Ky hap është pjesë e përpjekjeve të institucioneve për të digjitalizuar dhe thjeshtuar qasjen në shërbimet publike, duke garantuar një administratë më efikase dhe më transparente për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.