Gjermani, shtetasi kosovar gjobitet me 7200 euro gjobë për vetëpunësim të rremë

30.07.2025

Një shtetas kosovar që punonte në industrinë e ndërtimit në Gjermani është gjobitur me 7,200 euro nga Gjykata e Landit të Regensburgut, pasi u zbulua se ai kishte marrë pjesë në një skemë të vetëpunësimit të rremë.

Rasti është bërë publik nga Dogana e Regensburgut, e cila vazhdon të zbulojë raste të punës ilegale dhe mashtrimeve me sigurimet shoqërore.

Sipas raportimeve nga albinfo.ch dhe presseportal.de, punëtori kosovar kishte filluar si punonjës i rregullt në një kompani ndërtimi në rrethin Kelheim. Më pas, ai themeloi një biznes në emrin e tij dhe filloi të punonte njëkohësisht për të njëjtën kompani, duke u paraqitur tri ditë në javë si punonjës dhe dy ditë si kontraktor i supozuar i pavarur.

Megjithatë, një hetim nga Kontrolli Financiar i Punës së Paligjshme, në kuadër të Zyrës Kryesore të Doganës në Regensburg, zbuloi se vetëpunësimi i tij ishte i rremë. Autoritetet vërtetuan se ai nuk kishte asnjë mjet pune të vetin, asnjë klient tjetër përveç kompanisë në fjalë, nuk bënte asnjë reklamim të shërbimeve të tij dhe përdorte mjetet dhe orarin e kompanisë si një punonjës i zakonshëm.

Madje, edhe faturat që ai paraqiste për shërbimet e tij ishin hartuar nga vetë kompania, duke vërtetuar kështu lidhjen e pandarë dhe të kontrolluar të tij me të njëjtin punëdhënës.

Ky mashtrim ka sjellë një dëm të madh financiar për sistemin e sigurimeve shoqërore në Gjermani, me një humbje të vlerësuar mbi 100,000 euro.

Rasti është një tjetër paralajmërim për të gjithë ata që tentojnë të shmangin detyrimet ligjore përmes skemave të vetëpunësimit fiktiv. Autoritetet gjermane theksojnë se do të vazhdojnë kontrollet e rrepta ndaj punës së paligjshme dhe mashtrimeve në sektorin e ndërtimit dhe jo vetëm.