Suharekë, aktakuzë ndaj një të dyshuari për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve

30.07.2025

Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Y.M. nga Suhareka, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, në kundërshtim me nenin 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 16 prill 2025, rreth orës 22:00, në qytetin e Suharekës, i pandehuri u ndalua nga autoritetet, të cilët gjetën në veturën e tij të tipit “Opel Astra”, një shishe qelqi me marihuanë me peshë 0.61 gram si dhe një mulli – grinder për bluarje të drogës, të vendosur nën karrigen e vozitësit.

Pas ndalimit, është zhvilluar bastisje në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Reshtan, ku autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme narkotikësh të llojit “marihuanë”, përfshirë:

  • Një shishe plastike ngjyrë e gjelbër me 2.34 gram marihuanë;
  • Një qese e tejdukshme me 126.26 gram marihuanë;
  • Një kavanoz qelqi me 27.21 gram marihuanë;
  • Një kavanoz qelqi me 251.34 gram marihuanë;
  • Një kavanoz tjetër me 228.29 gram marihuanë;
  • Një kavanoz me 255.63 gram marihuanë;
  • Një tjetër kavanoz qelqi me 251.30 gram marihuanë;
  • Dy qese plastike me gjithsej 72.72 gram marihuanë;
  • Qese të shumta për paketim të drogës;
  • Një qese e madhe plastike me mbetje marihuane dhe kokainë;
  • Një mulli – grinder dhe një peshore digjitale.

Sasia totale e lëndëve narkotike të sekuestruara arrin në 1 kilogram e 143 gram marihuanë, duke përforcuar dyshimin e prokurorisë për përfshirje të të pandehurit në rrjetin e shitjes dhe shpërndarjes së drogës.

Prokurori i rastit ka propozuar që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi.

I pandehuri Y.M. ndodhet në paraburgim që nga data 16 prill 2025, ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë në ditët në vijim.