Furnizimi me energji nga KEK, sot afati i fundit për bizneset

30.07.2025

E mërkura, 30 korrik, shënon ditën e fundit kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të vazhdojë furnizimin me energji elektrike për bizneset që nuk kanë arritur të gjejnë një furnizues në tregun e hapur.

KEK ka njoftuar se nga nesër, më 31 korrik, përfundon roli i saj si Furnizues i Mundësisë së Fundit, funksion të cilin e ka ushtruar që nga data 1 qershor. Kjo nënkupton se pas kësaj date, të gjitha bizneset që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), do të mbesin automatikisht pa furnizim me energji elektrike.

Kjo masë është pjesë e hapjes së tregut të energjisë elektrike, ku bizneset janë të obliguara të zgjedhin furnizuesin e tyre nga operatorët e licencuar. Autoritetet kanë bërë thirrje të vazhdueshme që konsumatorët të mos e neglizhojnë këtë proces për të shmangur ndërprerjen e shërbimit.

Bizneset që ende nuk kanë ndërmarrë hapa për të siguruar furnizues të ri, këshillohen të veprojnë menjëherë për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit të tyre ekonomik.