Grabitje si në filma në Gjermani – kosovari në kërkim pas plaçkitjes së miliona eurove dhe rrëmbimit të dy punonjësve
Një grabitje e planifikuar deri në detaj dhe e ekzekutuar si në skenaret hollivudiane ka tronditur qytetin bavarez të Würzburgut, ndërsa dy të dyshuar të identifikuar si Racip Sabanoviç (58) dhe Ibus Drmaku (55) ndodhen ende në arrati.
Autoritetet gjermane kanë nisur kërkimin intensiv për kapjen e tyre, ndërsa një shpërblim prej 5,000 eurosh është ofruar për çdo informacion që çon në arrestimin e tyre.
Ngjarja ndodhi të hënën, kur dy punonjës të një shitësi të orëve luksoze “Rolex” u rrëmbyen pas përfundimit të orarit të punës. Sabanoviç dhe një bashkëpunëtor i tij i morën peng për disa kilometra nëpër qytet në një përpjekje për të zhvatur prej tyre çelësin e dyqanit. Pas tre orësh nën kërcënim, grabitësit arritën të futen në ambientet e shitësit rreth orës 22:30 dhe të largohen me ora dhe bizhuteri me vlerë afër një milion euro.

Hetimet janë duke u udhëhequr nga Komisioni Hetimor “Schmuck”, i cili nëpërmjet analizimit të qindra orëve nga kamerat e sigurisë arriti të identifikojë dy autorët, që tashmë janë në arrati. “Një rastësi na doli e dobishme”, deklaroi Shefi i Hetimit Penal Willmut Hornung, duke përmendur se grabitësit ishin të pajisur dhe vepruan me përpikëri profesionale.
Sipas autoriteteve, identifikimi i tyre u ndihmua nga disa detaje dalluese: Ibus Drmaku ka një shenjë të lindjes në urën e hundës, ndërsa Racip Sabanoviç njihet për një sy prej qelqi dhe një tatuazh të kokës së një pantere në gjoks.
Në këtë rast është përfshirë edhe një grua 57-vjeçare, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar me ta. Ajo ndodhet në paraburgim që nga muaji maj, kur u ndalua gjatë një kontrolli trafiku në Belgjikë.
Kryehetuesi Reiner Rügamer, i cili është afër përfundimit të karrierës së tij, ka deklaruar se ky është rasti i fundit që synon ta mbyllë me sukses. “Besojmë se viktimat ishin nën një frikë të jashtëzakonshme dhe kanë bashkëpunuar vetëm për të shpëtuar jetën e tyre. Dhe kjo është përparësia absolute në këtë rast”, theksoi ai.
Policia gjermane bën thirrje për ndihmën e publikut dhe kujton se çdo informacion mund të jetë vendimtar për zgjidhjen e këtij rasti.