Situata e krijuar nga zjarret, reagon Dr. Ardian Shala
Gjatë ditës së sotme në shumë qytete të Kosovës kanë shpërthyer shumë vatra të zjarrit ku ndër situatat më të vështira ka qenë edhe Komuna e Suharekës.
Ekipi i SuharekaOnline gjatë tërë ditës ka raportuar nga disa fshatra ku situata ka qenë më e rëndë.
Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar dhe kryetari i degës së LDK-së në Suharekë Dr.Ardian Shala.
“Me shqetësim të madh kemi ndjekur situatën e zjarreve të shumta që kanë ndodhur gjatë ditës së të sotme në disa lagje të fshatrabe si Shiroka, Sopija, Sallagrazhda, Sllapuzhani, Dubrava e gjetiu, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe ekologjike.
Një ndër rastet më të rënda ishte ai në Sallagrazhdë, ku një shtallë u përfshi nga flakët, duke i shkaktuar pronarit Musli Aliu dëme të mëdha ekonomike. Me këtë rast shprehim keqardhjen tonë të thellë dhe solidarizohemi me të dhe të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë. Ftojmë institucionet që t’i ofrojnë ndihmë për t’ua kompenzuar sa më shumë që të jetë e mundur dëmet e shkaktuara.
Një falënderim i posaçëm për ekipin e zjarrfikësve të komunës sonë, të cilët, përkundër kushteve të vështira dhe terrenit sfidues, treguan përkushtim dhe profesionalizëm. Po ashtu, mirënjohje të veçantë për stafin menaxherial të këtij shërbimi, në krye me drejtorin Vehbi Krasniqi, për organizimin dhe koordinimin efektiv.
Falënderojmë me zemër edhe vullnetarët, qytetarë të zakonshëm që nuk kursyen mundin për t’u gjendur pranë zjarrfikësve në frontin e parë të zjarrit. Ky solidaritet flet shumë për shpirtin e bashkësisë në komunën tonë.
Këto ngjarje na rikujtojnë nevojën urgjente për vendosjen e hidranteve funksionalë nëpër fshatra e në qytet, si masë parandaluese dhe ndihmë e shpejtë në raste të tilla. Urojmë që institucionet komunale të veprojnë në këtë drejtim sa më parë.
Me shpresën që nuk do të përballemi më me ngjarje të tilla, ju ftoj të gjithë për kujdes dhe vetëdije më të lartë ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët” ka shkruar Dr. Ardian Shala.