IPK rekomandon suspendimin e një zyrtari policor në Vërmicë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

25.07.2025

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar sot suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, që vepronte në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Perëndimi – Gjakovë.

Rekomandimi për suspendim erdhi pas nisjes së një hetimi nga hetuesit e IPK-së, me dyshimin se zyrtari në fjalë ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas njoftimit, pas konsultave me Prokurorinë Themelore në Prizren, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore, dyshohet se zyrtari policor, duke shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar bazën e të dhënave të policisë kufitare, ka verifikuar të dhënat në sistem të një qytetari – shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Hetimet kanë nxjerrë në pah se qytetari në fjalë nuk ka qenë fare i pranishëm në pikën kufitare kur është bërë verifikimi, ndërsa dyshohet se qëllimi i këtij veprimi ishte për të konstatuar nëse ai figuron apo jo në listën e kërkimeve të policisë.

IPK ka bërë të ditur se hetuesit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, do të ndërmarrin veprime të mëtejshme hetimore për të ndriçuar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti.