Reduktime të furnizimit me ujë në Suharekë, KRU “Hidroregjioni Jugor” apelon për kursim

25.07.2025

Konsumatorët në disa zona të Komunës së Suharekës do të përballen me reduktime të përkohshme të ujit, si pasojë e rritjes së madhe të konsumit dhe keqpërdorimeve.

Lajmi u bë i ditur nga KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A – Njësia Suharekë, të cilët theksojnë se këto masa janë të nevojshme për të siguruar një shpërndarje sa më të drejtë dhe të qëndrueshme të ujit të pijshëm për të gjithë banorët.

Reduktimet, të cilat kanë filluar më 24 Korrik 2025, do të zbatohen sipas një orari të caktuar për zona të ndryshme të qytetit dhe fshatrave përreth. Qëllimi kryesor është menaxhimi i situatës aktuale dhe garantimi i furnizimit me ujë për të gjithë, duke pasur parasysh nevojën për përdorim sa më racional.

Më poshtë është orari specifik i reduktimeve për secilën zonë:

  • Dobërdelan, Samadraxhë, Sallagrazhdë, dhe zona “Garibaldi”: Uji do të ndërpritet nga ora 19:00 deri në 07:00 të mëngjesit të ditës tjetër.
  • Zona Industriale – Shirokë, dhe Rr. Magjistrale “Pusi i Atit”: Ndërprerja e ujit do të jetë nga ora 17:00 deri në 07:00 të mëngjesit.
  • Gjinoc, Terrnje, Naperbisht, Gelanc, dhe Shirokë (rr. Sopijës): Këto zona do të kenë reduktime nga ora 09:00 deri në 17:00.
  • Mushtisht – zona e poshtme, dhe Bllacë – zona e poshtme: Këtu, furnizimi me ujë do të ndërpritet nga ora 11:00 deri në 17:00.

KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A – apelojnë te të gjithë konsumatorët për një përdorim sa më racional dhe të kujdesshëm të ujit të pijshëm.