Zgjedhjet e 12 tetorit, lista preliminare e votuesve në Suharekë ka 73.285 qytetarë me të drejtë vote
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Suharekë në takimin informues të mbajtur sot, me me përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare dhe mediave lokale ka publikuar të dhënat preliminare lidhur me përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Sipas kryesuesit të KKZ-së, z. Skender Qelaj, në listën preliminare të votuesve figurojnë gjithsej 73,285 qytetarë me të drejtë vote në Komunën e Suharekës.
KKZ theksoi se kjo nuk është lista përfundimtare, pasi puna për përditësimin dhe verifikimin e saj është ende në proces.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2024, popullsia rezidente e Komunës së Suharekës është 45,749 banorë.
Në bazë të shifrave nga ASK, numri total i ulëseve në Asamblenë Komunale këto zgjedhje do të jetë 27, sipas kritereve ligjore për përfaqësim komunal.
Një tjetër aspekt i veçantë i statistikave lidhet me qytetarët mbi moshën 95 vjeç. Nga 54 raste të identifikuara, pas verifikimit është konstatuar se 31 janë të vdekur, 12 janë ende gjallë, ndërsa 2 raste të gjinisë femërore nuk janë identifikuar ende.
Për më tepër, 9 votues janë të regjistruar si banorë të Suharekës nga komuniteti serb.