Arrestohen katër persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

23.07.2025

Katër persona janë arrestuar në Gjakovë nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar,

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – DHKEK, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore sipas autorizimit të prokurorit të shtetit, mbi dyshimet se zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjakovë, kanë mundësuar kundërligjshëm bartjen e pronave në pronësi të personave të tretë.

Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë.

Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e mbrojtësve të tyre, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe me aktvendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë.