Vdes 24-vjeçari nga Malisheva disa ditë pas aksidentit në vijat e bardha
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Malishevës, ku një i ri ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku.
Shkodran Morina, 24-vjeçari nga Malisheva, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga aksidenti i ndodhur më 15 korrik.
Morina ishte goditur nga një veturë teksa po kalonte rrugën në vijat e bardha në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë. Menjëherë pas aksidentit, ai ishte dërguar me urgjencë në QKUK, ku për disa ditë qëndroi në gjendje kritike, por fatkeqësisht ndërroi jetë.
Lajmin për vdekjen e të riut e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Më datë 15.07.2025, në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku një këmbësor (mashkull i moshës madhore) ishte goditur nga një veturë. Pas aksidentit, i lënduari ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Sot jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë. Për vdekjen e viktimës është njoftuar edhe prokurori i shtetit,” deklaroi Elezaj.
Ngushëllimet për humbjen e Shkodranit kanë ardhur nga shumë qytetarë e zyrtarë lokalë. Ndër ta edhe drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Avdi Morina, i cili në një postim prekës në rrjetet sociale e ka kujtuar të ndjerin si një të ri të urtë dhe punëtor.
“Lamtumirë Shkodran! Pas një aksidenti rrugor në qytetin e Malishevës, Shkodrani 24 vjeç u lëndua rëndë, dhe pas disa ditësh në luftë me vdekjen nuk mundi t’i bëjë ballë lëndimeve të rënda që kishte. Shkodrani do të kujtohet si një djalë i urtë, i sjellshëm dhe shumë punëtor. U prefsh në paqe,” ka shkruar ai.
Autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.