Budakova, fshati i qëndresës dhe krenarisë së shpejti me Kullë të Dëshmorëve

21.07.2025

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Budakova ishte një nga vatrat më të fuqishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një fshat që jo vetëm i qëndroi okupatorit, por i dha edhe djemtë dhe vajzat më të mirë të tij për lirinë që sot gëzojmë.

Shtëpitë e tij u kthyen në strehë për luftëtarët, rrugicat në korridore lirie, dhe zemrat e banorëve në betejë për të ardhmen. Emrat e dëshmorëve të Budakovës janë shkruar me gjak, por edhe me krenari, në faqet e historisë sonë më të re.

Dhe sot, më shumë se dy dekada më vonë, Budakova do të ketë Kullën e Dëshmorëve – një monument që do të qëndrojë përgjithmonë si dëshmi e guximit dhe nderit.

Procedura e tenderimit për ndërtimin e këtij monumenti tashmë është përmbyllur. Komuna e Suharekës ka shpallur operatorin ekonomik fitues, i cili do të realizojë projektin me një kontratë në vlerë 158,305.00 euro. Punimet pritet të zgjasin 90 ditë kalendarike.

Budakova së shpejti do të ngrihet me krenari, me një kullë që do të flasë pa zë, por që do të dëgjohet thellë në ndërgjegjen e secilit vizitor. Sepse Budakova e meriton. Sepse dëshmorët meritojnë më shumë se heshtje. Dhe sepse liria nuk harrohet – ajo nderohet.

Pas Kullës së Dobërdelanit kjo është e dyta e cila do të ndërtohet gjatë këtij viti nga Komuna e Suharekës.