[VIDEO] Shfaqet ariu në Budakovë të Suharekës

28.10.2025

Një ari është parë sërish në një nga fshatrat e komunës së Suharekës, duke shkaktuar shqetësim tek banorët lokalë. Rasti është raportuar nga “Urgjent”, e cila ka publikuar një video ku shihet qartë një ari me ngjyrë të murrme duke lëvizur nëpër rrugët e fshatit Budakovë.

Sipas pamjeve, ariu duket i qetë, por prania e tij në afërsi të shtëpive ka ngjallur frikë te banorët, të cilët kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet kompetente për të siguruar zonën.

Ky nuk është rasti i parë që arinjtë shfaqen në territorin e Suharekës. Ditë më parë, tre arinj janë parë në fshatin Bllacë, duke u bërë tashmë një shqetësim i përsëritur për komunitetin.

Banorët e zonave malore të Suharekës thonë se raste të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe kërkojnë që të ndërmerren masa për mbrojtjen e tyre dhe për menaxhimin e kafshëve të egra që po afrohen pranë vendbanimeve.