Sveçla për arrestimin e fundit: Profesionalizmi i institucioneve tona po dekonspiron agjenturën serbe

17.07.2025

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për një tjetër sukses të madh të institucioneve të sigurisë, duke konfirmuar çmontimin e një rrjeti spiunazhi dhe arrestimin e zyrtarit policor Bojan Jevtić, nën dyshimin për spiunazh për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.

Përmes një deklarate publike, Ministri Sveçla shpjegoi se ky arrestim vjen pas një hetimi të gjatë dhe profesional nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Inspektorati Policor i Kosovës, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.

Sipas ministrit, ky është personi i gjashtë i arrestuar për raste të ngjashme, duke theksuar se serioziteti i situatës është konfirmuar edhe nga pranimi i fajësisë nga njëri prej të dyshuarve të mëparshëm. “[Kjo] konfirmon seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës,” shkroi Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme lëshoi një paralajmërim të prerë për këdo që tenton të minojë shtetin nga brenda. “Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë,” deklaroi ai.

Në fund, Ministri Sveçla theksoi se Republika e Kosovës po forcon sovranitetin dhe rendin e saj kushtetues dhe se lufta ndaj veprimtarive të tilla të kundërligjshme do të vazhdojë pa ndalur. “Luftimi i veprimtarive të kundërligjshme do të vazhdojë sikurse jam i bindur se edhe sukseset nuk do të mungojnë!” përfundoi deklaratën e tij Ministri Sveçla.