Grindje me thikë në Gjermani: Plagoset rëndë një i ri nga Kosova
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në qytetin Velbert të Gjermanisë, ku si pasojë e një përleshjeje me thikë janë plagosur rëndë dy të rinj, përfshirë një shtetas nga Kosova.
Sipas autoriteteve gjermane, incidenti ndodhi rreth orës 04:25 të mëngjesit më 10 korrik, kur një grua 22-vjeçare njoftoi policinë për shkak se ish-partneri i saj, një shtetas gjermano-jordanez 22-vjeçar, po shkaktonte rrëmujë para apartamentit të saj dhe po tentonte të hynte me forcë brenda.
Pas hyrjes në apartament, ka shpërthyer një grindje fizike mes tij dhe të dashurit aktual të gruas, një kosovar 21-vjeçar, e cila ka përfunduar me përdorim të thikës.
Policia ka mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur të dy të rinjtë me plagë të rënda nga thika dhe prerje. Ata janë dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor. Fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
Hetuesit kanë gjetur në vendngjarje edhe mjetin e mprehtë që u përdor në përleshje. Rrethanat e sakta të konfliktit janë ende nën hetim, ndërsa autoritetet gjermane kanë nisur procedurat për lëndim të rëndë trupor.
Policia gjermane nuk ka dhënë ende informacione shtesë lidhur me statusin ligjor të të përfshirëve apo nëse janë ngritur akuza penale ndaj tyre.