Policia del me detaje zyrtare për rrahjen në Suharekë – Tre të arrestuar dhe një armë e sekuestruar

16.07.2025

Policia e Kosovës ka publikuar informacion zyrtar lidhur me incidentin e ndodhur më 15 korrik në Suharekë, ku tre të rinj janë përfshirë në një rrahje që përfundoi me një person të lënduar rëndë dhe sekuestrimin e një arme zjarri.

Rasti është raportuar nga QKMF-Suharekë rreth orës 23:00, ku një person me lëndime të rënda trupore është paraqitur për ndihmë mjekësore. Për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm.

Policia ka konstatuar se lëndimet janë rezultat i një përleshjeje fizike që kishte ndodhur më herët gjatë mbrëmjes, në rrugën “Brigada 123” në qytetin e Suharekës. Pas hetimeve fillestare, janë identifikuar tre persona të dyshuar, të moshës 19, 18 dhe 22 vjeç, të gjithë nga fshatra të komunës së Suharekës.

Sipas njoftimit të Policisë, një armë zjarri është dorëzuar nga familjarët dhe dyshohet se ka qenë në posedim të njërës nga palët e përfshira në konflikt. Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe hetimet e para sugjerojnë se rrahja ka ndodhur për shkak të një borxhi mes tyre.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale:

  • Lëndim i rëndë trupor
  • Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës

Të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit kujdestar, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.