Bastisje në objektin e disa agjencive shtetërore në Prishtinë – Forca të shumta policore në vendngjarje
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka ndërmarrë një operacion bastisjeje në një objekt shtetëror në Prishtinë, ku janë të vendosura disa agjenci të rëndësishme të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas informacioneve të para, bastisja po zhvillohet në objektin ku ndodhen Agjencia Kadastrale e Kosovës, Agjencia Shtetërore e Arkivave dhe Instituti për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Forca të shumta policore janë parë të pozicionuara përreth objektit dhe brenda tij, duke zhvilluar veprimtari hetimore.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë ende shumë detaje zyrtare në lidhje me qëllimin apo natyrën e bastisjes. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka deklaruar shkurt se janë në proces të mbledhjes së informatave lidhur me rastin.
Mbetet të shihet në orët në vijim nëse do të ketë ndonjë prononcim zyrtar nga autoritetet për të sqaruar arsyet e bastisjes dhe rezultatet eventuale të saj.