Grenell akuzon presidenten Osmani për manipulim të deklaratave të Trump, pas komenteve të saj në SHBA
I dërguari i posaçëm presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të bëra gjatë një vizite të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në platformën “X”, Grenell e akuzoi Osmanin për, siç u shpreh ai, “manipulim të fjalëve të Presidentit Donald Trump” lidhur me situatën aktuale në rajon.
Reagimi i Grenell erdhi pasi Osmani deklaroi nga SHBA se “mund të konfirmoj” që së fundmi është parandaluar një sulm nga Serbia ndaj Kosovës, duke përmendur kontributin e presidentit Trump në këtë parandalim. Ajo shtoi se këto zhvillime janë të fundit dhe nuk kanë të bëjnë me ngjarjet e viteve të kaluara.
Grenell, përmes reagimit të tij, tha se Osmani po pretendon se ka ndodhur diçka e re, ndërsa sipas tij, ajo nuk ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, të cilën ai e cilësoi si përpjekje të rëndësishme për paqen dhe normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja u nënshkrua në Zyrën Ovale dhe u ndërmjetësua nga administrata Trump. Grenell kujtoi gjithashtu se Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për këto përpjekje në vitet 2019 dhe 2020.
Nga ana tjetër, Osmani, në komentet e saj publike, ka theksuar se nuk i referohej zhvillimeve të kaluara, por një situate të fundit, për të cilën ajo shprehu bindjen se ishte parandaluar me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe administratën Trump.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar gjithashtu ndaj deklaratave të Osmanit, duke i mohuar pretendimet për një kërcënim të mundshëm ushtarak nga Serbia ndaj Kosovës. Vuçiq deklaroi se qëllimi i vendit të tij është zhvillimi ekonomik dhe jo përfshirja në konflikt.