Arrestohet një person në Prizren për fajde dhe organizim të skemave piramidale

11.07.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 10 korrik 2025, pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një person në Prizren, i dyshuar për veprat penale të fajdesë dhe organizimit të skemave piramidale.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari – mashkull kosovar – dyshohet se ka vepruar me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, duke organizuar aktivitete të ndaluara si bixhozi dhe lojëra fati. Fillimisht, ai e kishte futur në borxh viktimën, një mashkull kosovar, ndërsa më pas borxhin ia kishte shndërruar në fajde.

Policia ka zbatuar masa të fshehta hetimore dhe ka arritur që ta kapë të dyshuarin në flagrancë.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet në lidhje me rastin po vazhdojnë.