Ballkani përballë FC Strugës në ndeshjen e fundit miqësore në Ohër

09.07.2025

Të dashur tifozë, sot është dita e fundit e fazës përgatitore për ekipin tonë në Ohër, dhe njëkohësisht koha për të zhvilluar ndeshjen e tretë miqësore të kësaj vere.

FC Ballkani do të përballet me skuadrën e njohur maqedonase, FC Struga, në një sfidë që do të nisë në orën 17:00 dhe do të luhet në qytetin e Strugës.

Kjo ndeshje konsiderohet si testi përfundimtar për trajnerin dhe lojtarët, për të vlerësuar formën dhe gatishmërinë e skuadrës para rikthimit në garat zyrtare. Pas dy ndeshjeve miqësore të zhvilluara gjatë qëndrimit në Ohër, kjo sfidë do të japë sinjalin e fundit për përfundimin e fazës përgatitore.

Ekipi është treguar i përkushtuar gjatë gjithë përgatitjeve, duke ndërtuar formën fizike dhe duke konsoliduar lojën kolektive. Përballja me një kundërshtar serioz si FC Struga do të jetë një mundësi e mirë për të testuar skemat taktike dhe për të parë në veprim të gjithë futbollistët para sfidave të rëndësishme që e presin Ballkanin në sezonin e ri.