Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po hyn në fazën vendimtare
Procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i afrohet një faze vendimtare, teksa përfundimi i paraqitjes së provave nga ana e Prokurorisë po afrohet.
Në fund të muajit gusht, mbrojtja do të marrë fjalën dhe pritet të paraqesë dëshmitarët dhe provat që sipas saj, do të sfidojnë narrativën e ndërtuar deri tani nga prokurorët.
Avokatët mbrojtës kanë theksuar se do të paraqesin dëshmitarë me njohuri të drejtpërdrejtë për luftën dhe veprimtarinë e UÇK-së. Ata gjithashtu synojnë të dokumentojnë raste të manipulimeve që, sipas tyre, janë orkestruar nga Serbia, duke përfshirë edhe paraqitjen e forcave të armatosura serbe si viktima civile.
Avokati Skënder Musa vlerëson se një drejtësi e vërtetë nuk mund të arrihet pa dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes dhe shqyrtimin e provave që ajo do të dorëzojë. Ai rikujtoi se, sipas tij, Gjykata Speciale u themelua me ndikim të drejtpërdrejtë nga Serbia dhe se kjo ndikon në objektivitetin e saj.
“Numri i dëshmitarëve të mbrojtjes do të jetë dukshëm më i kufizuar sesa ai i Prokurorisë, pasi kjo e fundit nuk ka bërë asnjë selektim real. Kemi parë dëshmitarë që nuk dinin pse ishin thirrur, madje disa janë deklaruar publikisht si dëshmitarë të rremë”, tha Musa.
Ai shton se Serbia ka paraqitur si civilë edhe pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së saj, me qëllim që t’i përdorë si prova për krime të supozuara të UÇK-së. “Në luftë, askush nuk mund të mbajë përgjegjësi penale për vrasjen e ushtarëve të armatosur gjatë betejës. Këto fakte duhet të dokumentohen saktësisht për të bërë dallimin midis viktimave civile dhe atyre ushtarake”, theksoi ai.
Ndërkohë, avokati Emrush Kastrati theksoi rëndësinë që dëshmitarët e mbrojtjes të jenë persona me njohuri të drejtpërdrejtë. “Nëse mbrojtja vlerëson se provat e Prokurorisë nuk janë të mjaftueshme, atëherë duhet të sjellë dëshmitarë të rinj që mund të hedhin dritë mbi realitetin e luftës dhe të kundërshtojnë narrativën e ndërtuar deri tani,” tha Kastrati.
Sipas afateve të vendosura nga Trupi Gjykues, mbrojtja duhet të dorëzojë listën e dëshmitarëve dhe të provave më së voni deri më 21 korrik, ndërsa seanca e parë për paraqitjen e rastit të mbrojtjes pritet të nisë në fund të gushtit.
Kjo fazë e re pritet të jetë vendimtare për ecurinë e procesit dhe për fatin juridik të ish-krerëve të UÇK-së, që po përballen me akuza të rënda për krime lufte dhe kundër njerëzimit.