Për shkaqe sigurie, evakuohen deputetët dhe mediat nga Kuvendi – Seanca e 42 në pikëpyetje

05.07.2025

Në prag të fillimit të seancës së 42-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për shkaqe sigurie, janë evakuar deputetët dhe mediat nga hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Sipas raportimeve, ka pasur një objekt të dyshimtë brenda ndërtesës, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të urdhërojë evakuimin e menjëhershëm të të gjithë deputetëve dhe përfaqësuesve të mediave nga hapësirat e Kuvendit. Deputetët tashmë janë larguar dhe perimetri i sigurisë është vendosur rreth objektit.

Gjithashtu edhe të gjithë punonjësit tjerë në Kuvend, kanë liruar objektin.

Aktualisht nuk ka informacion të detajuar zyrtarë mbi natyrën e kërcënimit apo mbi ndonjë pajisje të gjetur, ndërsa nuk është konfirmuar nëse seanca do të vazhdojë gjatë ditës së sotme apo do të shtyhet për një datë tjetër.

Një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga një deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila në një prononcim për media është shprehur se “siguria në Kuvend është shumë e brishtë, dhe çdokush mund të hyjë brenda”, duke ngritur shqetësime të thella për masat e sigurisë institucionale.

Nga disa raportime jo zyrëtare thuhet se ka pasur një telefonatë kërcënuese.

Hetimet janë duke vazhduar dhe njësitet për deminim janë në terren për të kontrolluar ambientet e Kuvendit.

Ky është një lajm në zhvillim – më shumë detaje priten në orët në vijim.