Kurti: Rritje 123% e numrit të ushtarëve në katër vjet – bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar thelbësor për sigurinë

04.07.2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, gjatë një takimi me deputetët britanikë Martin Vickers dhe Paul Foster.

Në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, bashkëpunimi ekonomik, tregtar dhe ai në fushën e mbrojtjes. Kurti theksoi se gjatë katër viteve të fundit është shënuar një rritje prej 123% e numrit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, krahas investimeve të konsiderueshme në armatim dhe pajisje moderne.

Ai gjithashtu veçoi pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrimet ndërkombëtare Defender Europe 2025 si një dëshmi e angazhimit të vendit në rrjetin e sigurisë ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për sektorët strategjikë të ekonomisë, ku Kurti theksoi rëndësinë e projekteve infrastrukturore, veçanërisht zhvillimin e rrjetit hekurudhor, si dhe sektorin e teknologjisë si fusha me potencial të madh për investime dhe partneritet.

Një tjetër temë me peshë ishte bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërkohë që samiti i radhës pritet të mbahet në Londër. Kurti nënvizoi se anëtarësimi sa më i shpejtë i Kosovës në NATO është kyç për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Deputetët britanikë vlerësuan progresin e Kosovës dhe konfirmuan mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit demokratik.

Në fund të takimit, Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen gjithëpartiake të Britanisë dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.