Përurohen dy linja të reja ajrore direkte midis Prishtinës dhe Francës
Dy linja të reja ajrore direkte midis Prishtinës dhe Francës – konkretisht Parisit dhe Lionit – janë përuruar sot në një ceremoni zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në prani të ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Francës në Kosovë, këto linja të reja, të mundësuara nga kompania ASL Airlines France, do të lehtësojnë ndjeshëm udhëtimin për diasporën kosovare në Francë, do të nxisin zhvillimin e turizmit dhe do të forcojnë më tej lidhjet ekonomike midis dy vendeve.
“Limak dhe Aéroport de Lyon, partnerë kyç në zhvillimin e Aeroportit Adem Jashari, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë sukses,” thuhet në postimin e Ambasadës franceze, duke falënderuar të gjithë partnerët që kontribuan në realizimin e këtij projekti.
Linjat direkte me Paris dhe Lyon pritet të jenë një lehtësim i madh për udhëtarët, sidomos gjatë sezonit veror dhe festave.
Ky zhvillim vjen si pjesë e përpjekjeve për zgjerimin e rrjetit ajror të Kosovës dhe rritjen e kapaciteteve të Aeroportit të Prishtinës për lidhje ndërkombëtare më të qëndrueshme dhe më të shpeshta.