Futbollisti i Liverpoolit, Diogo Jota, humb jetën në një aksident tragjik
Një ngjarje tragjike ka tronditur botën e futbollit këtë të enjte në mëngjes, pasi futbollisti 28-vjeçar i Liverpoolit, Diogo Jota, ka ndërruar jetë në një aksident të rëndë trafiku në provincën e Zamorës, Spanjë.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle Marca, aksidenti fatal ka ndodhur në kilometrin e 65-të të autostradës A-52, pranë komunës Palacios de Sanabria. Automjeti me të cilin po udhëtonin Diogo Jota dhe vëllai i tij 26-vjeçar, Andre Jota — gjithashtu futbollist profesionist — doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët.
Dëshmitarët që njoftuan shërbimet emergjente në numrin 112 thanë se zjarri u përhap me shpejtësi edhe në zonën përreth, duke e bërë të pamundur ndihmën për viktimat. Të dy vëllezërit fatkeqësisht kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Ndërkohë, komuniteti sportiv është në zi për humbjen e një prej futbollistëve më të talentuar të Portugalisë dhe një prej figurave kyçe të Liverpoolit në vitet e fundit.