Fushë Kosovë, vdes një 77-vjeçar pasi ra në vendin ku po montohej lifti

22.10.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Fushë Kosovë, ku një 77-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga lartësia në një hapësirë të paraparë për ashensor, në një ndërtesë që është ende në ndërtim e sipër.

Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar se ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës në orën 13:47.

“Në orën 13:47 minuta kemi pranuar një informatë dhe ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes. Një person ka rënë nga lartësia në një pusetë. Ai ishte vend i paraparë për ashensor, pasi që ndërtesa është në ndërtim e sipër dhe ashensori ende nuk është vendosur. Zjarrfikësit e kanë tërhequr personin nga thellësia ku ka rënë“, ka deklaruar Shkodra.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima është një mashkull 77-vjeçar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitet kompetente në bashkëpunim me prokurorinë.

“Sot në stacionin policor të Fushë-Kosovës është iniciuar një rast ‘Hetim mbi vdekje’. Rasti ka ndodhur në rrugën ‘Agron Rrahmani’ në Uglarë, ku ka humbur jetën viktima mashkull, 77 vjeç. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë”, ka deklaruar Ahmeti.

Trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga vendi i ngjarjes nga ekipi i zjarrfikësve, ndërsa organet e hetuesisë po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të këtij rasti tragjik.