Osmani ndan Mirënjohje Presidenciale për komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan (KFOR 34), kolonelin Peter Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit, si dhe komandantin e ri të kësaj komande (KFOR 35), kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës.
Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani shprehu falënderime për kolonelin Helzer për shërbimin dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të tij në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe në rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ndau atij një Mirënjohje Presidenciale.
Presidentja gjithashtu i uroi mirëseardhje komandantit të ri, kolonelit Jonathan Lloyd, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për më shumë se 26 vjet të pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it, duke theksuar se kjo prani ka qenë jetike për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe në rajon.
Ajo ritheksoi gjithashtu se Kosova do të mbetet mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik, të cilin e cilësoi si një shtyllë të rëndësishme për sigurinë dhe zhvillimin në rajon.