Kurti i kërkon Bosnjë e Hercegovinës heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

01.07.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, i bëri thirrje Bosnjë e Hercegovinës për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar reciprocitet në lëvizjen e lirë.

Në fjalën e tij në panelin e diskutimit për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, Kurti theksoi se vendimi i Kosovës për t’u mundësuar qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës lëvizje pa viza ka sjellë një rritje të dukshme të hyrjeve nga boshnjakët në Kosovë.

“Qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës tashmë udhëtojnë lirshëm në Kosovë, prandaj edhe qytetarëve tanë duhet t’u mundësohet e njëjta liri në Bosnjë dhe Hercegovinë,” deklaroi Kurti, duke kërkuar që vendi fqinj të zbatojë reciprocitetin në këtë çështje.

Kjo kërkesë u bë pjesë e një fjalimi ku kryeministri në detyrë vlerësoi Planin e Rritjes të BE-së dhe nënvizoi nevojën për mbështetje të barabartë të vendeve të rajonit në instrumentet dhe programet evropiane.

Kurti gjithashtu përmendi disa iniciativa të Kosovës në fushat e teknologjisë, tregtisë rajonale dhe integrimit ekonomik, ndërsa nënvizoi rëndësinë e sigurisë si një faktor kyç për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.