Dogana ndalon futjen e insekticideve të paautorizuara me origjinë nga Serbia

01.07.2025

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë Kufitare ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra të paautorizuara në Pikën Kufitare të Bërnjakut.

Rasti është regjistruar mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21:20, gjatë hyrjes së një automjeti në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, pas deklarimit negativ nga udhëtari për mallra që kërkojnë deklarim doganor, automjeti është selektuar për kontroll në vijën e dytë. Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mallra të padeklaruara të fshehura në pjesën e kutive të ulëseve dhe nën tapetat e automjetit. Bëhet fjalë për insekticide me origjinë nga Serbia.

Produktet e sekuestruara janë:

  • Tonus 2.5gr – 300 copë
  • Alverde 5ml – 200 copë
  • Apioxal Strips – 17 copë

Dogana e Kosovës rikujton qytetarët se importimi i insekticideve dhe produkteve të ngjashme i nënshtrohet kontrolleve dhe lejeve specifike, dhe çdo përpjekje për t’i futur ato pa deklarim përbën shkelje ligjore.

Autoritetet kompetente kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform legjislacionit në fuqi, ndërkohë që rasti do të trajtohet më tej nga organet përkatëse.

Dogana e Kosovës thekson përkushtimin e saj për të mbrojtur tregun dhe shëndetin e qytetarëve, duke parandaluar hyrjen e produkteve të rrezikshme apo të paautorizuara në vend.