Gjermani, punëtorë nga Kosova të përfshirë në punësim të paligjshëm – Bastisje masive në kantierë ndërtimi
Autoritetet doganore gjermane kanë nisur një bastisje mbarëkombëtare në industrinë e ndërtimit, me qëllim identifikimin dhe luftimin e punës së paligjshme dhe shkeljeve të tjera të lidhura me punësimin e të huajve.
Aksioni është ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Bonn dhe ka përfshirë mbi 2,800 oficerë doganorë në të gjithë vendin.
Bastisjet po zhvillohen në qindra kantiere ndërtimi në qytete të mëdha si Berlini, Mynihu, Këlni dhe të tjera, dhe do të vazhdojnë deri të hënën në mbrëmje. Fokus i kontrolleve janë çështje si pagimi nën nivelin minimal ligjor, mosregjistrimi i punonjësve në skemat e sigurimeve shoqërore dhe ligjshmëria e qëndrimit dhe punësimit të të huajve në territorin gjerman.
Në një prej aksioneve të zhvilluara në Bornheim pranë Këlnit, në një kantier të një qendre rehabilitimi, dogana kontrolloi 27 punëtorë të angazhuar në suvatime dhe punime të tjera ndërtimore. Pesë prej tyre u identifikuan si të punësuar ilegalisht, duke përfshirë edhe shtetas nga Kosova dhe Bjellorusia.
Një rast i veçantë që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ishte zbulimi i një shtetasi kosovar që ishte fshehur në një mbulesë çatie, 15 metra mbi tokë. Sipas zëdhënësit të Zyrës Kryesore Doganore të Këlnit, Jens Ahland, vendi i fshehjes ishte mjaft i rrezikshëm dhe dëshmon për frikën e përballjes me autoritetet.
Hetimet janë në zhvillim ndaj kompanisë ndërtimore për punësim të paligjshëm, ndërsa punëtorët përballen me akuza për qëndrim të paligjshëm apo përfshirje në punësim të paligjshëm. Zëdhënësi Ahland ka shtuar se këta punëtorë zakonisht paguhen shumë më pak se paga minimale dhe shpesh marrin vetëm disa euro për punë të rëndë ndërtimore.