Rreth 24 mijë nxënës i nënshtrohen nesër testit të arritshmërisë – MASHT premton masa kundër kopjimeve

26.06.2025

Rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta në të gjithë Kosovën do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë këtë të premte, test i cili konsiderohet si pikë referuese për regjistrimin në klasën e dhjetë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), të gjitha përgatitjet për procesin tashmë janë bërë, ndërsa janë angazhuar mbi 1,550 administrues në 170 qendra testimi.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim në MASHT, Fatmir Elezi, ka deklaruar për Radio Kosovën se testi këtë vit do të mbahet vetëm në një ditë dhe përfshin të gjitha lëndët.

“Testi i arritshmërisë është orientues, rezultatet shërbejnë për regjistrim në klasën e dhjetë dhe nuk ka prag të kalueshmërisë,” – u shpreh Elezi.

Në përpjekje për të parandaluar kopjimet, MASHT ka aplikuar edhe këtë vit ndarjen e nxënësve përmes platformës e-Kosova, duke siguruar që nxënësit e së njëjtës klasë nuk të testohen në të njëjtën sallë. Elezi përmendi edhe përvojën e testit të maturës, ku mbi 80 nxënës u përjashtuan për përdorim të telefonave, ndërsa paralajmëroi mbikëqyrje të rreptë edhe për nxënësit e klasave të nënta.

Nga ana tjetër, njohësit e arsimit e vlerësojnë testin si të rëndësishëm, por të rrezikuar nga keqmenaxhimi. Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, thekson se manipulimet dhe kopjimet në test e bëjnë atë jo-reprezentativ për dijen reale të nxënësve.

“Administrimi i drejtë i testimit është i domosdoshëm. Pa të, testi i arritshmërisë po kthehet në një proces joadekuat dhe i pabarabartë për nxënësit,” – tha Qehaja.

Sipas MASHTI-t, rezultatet e testit pritet të shpallen deri më 5 korrik, dhe do të jenë faktor ndihmës në përzgjedhjen e profileve në shkollat e mesme. Ministria apelon për respektim të rregullave dhe integritet në këtë proces të rëndësishëm arsimor.