Operacion kundër kontrabandës në Kamenicë: Policia sekuestron mallra me vlerë rreth 7,000 euro
Policia e Kosovës ka zhvilluar një tjetër operacion të suksesshëm në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës me mallra përgjatë brezit kufitar me Serbinë.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitë e Task Forcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe të asistuar nga Stacioni për Mbikëqyrjen e Kufirit – SPMK Muqivercë, kanë kryer kontrolle taktike në terren më 23 qershor, në orët e mbrëmjes.
Gjatë veprimeve vëzhguese, njësitë policore kanë identifikuar një traktor me rimorkio të improvizuar duke hyrë ilegalisht nga fshati Tërrnocë – Bujanoc (Serbi) në drejtim të fshatit Hodonoc – Kamenicë (Kosovë).
Më pas, gjatë kontrollit në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Hodonoc, pronë e personit N.P., është gjetur rimorkioja e improvizuar, e cila rezulton të jetë pronë e të dyshuarit L.I., banues në Hodonoc. Në praninë e tij, është konstatuar se rimorkioja ishte e ngarkuar me mallra të kontrabanduara – konkretisht rreth 220 drunj dekorativë, të destinuar për shpërndarje në territorin e Kosovës përmes postës vendore.
Vlera e përgjithshme e mallrave të kontrabanduara llogaritet rreth 7,000 euro, pa përfshirë humbjet doganore që rrjedhin nga kontrabanda.
Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, rimorkioja dhe mallrat janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se angazhimet për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme do të vazhdojnë, në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet kompetente, për të garantuar rendin dhe sigurinë në vend.