Tentim për të futur fara të dyshuara të kanabisit nga Gjermania përmes dërgesës postare – Ndërhyn Dogana dhe Policia e Kosovës
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një tentim për të futur në vend fara të dyshuara të kanabisit përmes dërgesës postare.
Rasti u evidentua gjatë një kontrolli të rregullt në Zyrën për Zhdoganimin e mallrave postare, ku po inspektohej një pako e ardhur nga Gjermania me përmbajtje të deklaruar si mallra ushqimore.
Gjatë kontrollit fizik, doganierët kanë hasur në një produkt të deklaruar si “fara bio për konsum”, por që përmbante rreth 650 gram fara me pamje të ngjashme me ato të bimës kanabis, të cilat ngjallën dyshime për përdorim në mbjellje.
Menjëherë pas konstatimit të dyshimeve, rasti iu përcoll Njësitit Anti-Drogë të Policisë së Kosovës, i cili ndërmori veprimet e nevojshme operacionale. Policia ka identifikuar dhe ndaluar personin që kishte ardhur për ta marrë pakon.
Pakoja është sekuestruar, ndërsa rasti është në fazë hetimi nga organet kompetente.
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e kontrollit kufitar dhe parandalimin e futjes së substancave të ndaluara, për të garantuar rend dhe siguri në vend.