KEK siguron qytetarët: Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike
Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Gramos Hashani, ka reaguar sot lidhur me situatën energjetike në vend, duke theksuar se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.
Kjo deklaratë vjen pas disa raportimeve dhe spekulimeve në media rreth një kolapsi të mundshëm energjetik.
Gjatë një konference për media, Hashani theksoi se KEK-u nuk merret me deklaratat e bëra sot rreth kolapsit energjetik. Ai sqaroi se ka pasur një keqkuptim lidhur me deklarimin e kapaciteteve prodhuese.
“Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, ta kenë këtë të qartë. Ne e kemi deklaruar në mëngjes sot kapacitetet e prodhimit të cilat i kemi planifikuar për nesër. Ka pasur një pasiguri nga ekipi i termocentralit Kosova A për të deklaruar atë kapacitet për nesër, kjo është keqkuptuar dhe janë dhënë deklarata të ndryshme, që ne nuk merremi me to – se KEK për herë të parë pas 25 viteve nuk prodhon asnjë megavat brenda ditës. Kjo nuk është e vërtetë,” tha Hashani.
Ai shtoi se KEK është angazhuar maksimalisht dhe ka bërë korrigjimin e deklarimit të kapaciteteve, duke konfirmuar se njësia A3 do të prodhojë energji elektrike edhe nesër.
Hashani theksoi gjithashtu se pavarësisht deklaratave të KESCO-s, KEK ka komunikim të vazhdueshëm dhe marrëdhënie kontraktuale me ta si partnerë strategjikë. “Ne do të prodhojmë energji elektrike nesër, nuk importohet energjia nesër 100%,” përfundoi ai, duke siguruar qytetarët për stabilitetin e furnizimit me energji.