Sulm misterioz në Prizren – Policia publikon detaje për rastin e lëndimit të rëndë trupor

17.06.2025

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Prizren, ka njoftuar për një rast të lëndimit të rëndë trupor, që është raportuar më 11 qershor nga një qytetar 30-vjeçar me inicialet M.M., banues në Prizren.

Sipas deklarimeve të viktimës, ngjarja ka ndodhur më 9 qershor 2025, rreth orës 06:00 të mëngjesit, në rrugën “Mursel Osmanaj”, afër parkut të qytetit. Ai është sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur, të cilët ishin duke lëvizur me një motoçikletë dhe të pajisur me helmeta, çka e ka bërë të pamundur identifikimin e tyre në momentin e sulmit.

Hetuesit e Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të sigurojnë pamje video të incidentit, përfshirë edhe imazhe të personave të dyshuar. Aktualisht, hetimet janë duke vazhduar me intensitet të lartë për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivin e këtij sulmi.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që mund të kenë ndonjë informatë lidhur me rastin të ndihmojnë hetimet, duke kontaktuar përmes numrit emergjent 192 ose përmes emailit zyrtar [email protected].