Trump: Kam ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë, do të sjell paqe edhe mes Izraelit dhe Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të re publike ku ka përmendur përpjekjet e tij për paqe në disa prej konflikteve më të ndërlikuara globale, përfshirë edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim të shpërndarë të dielën, Trump është shprehur se gjatë mandatit të tij të parë, ai kishte ndalur përshkallëzimin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se “ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë”, por se ai kishte arritur ta ndalte atë.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po shkonin drejt një konflikti të hapur, siç ka ndodhur për dekada me radhë. Ky konflikt ishte gati të shpërthente në luftë. E ndala unë!” – ka shkruar Trump, duke shtuar se sipas tij, presidenti aktual Joe Biden ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa “vendime shumë të këqija”, por ai premton se “do ta rregullojë përsëri”.
Trump gjithashtu ka përmendur ndërhyrjen e tij në çështje të tjera globale, duke përfshirë konfliktin për digën midis Egjiptit dhe Etiopisë, si dhe tensionet midis Indisë dhe Pakistanit, për të cilat thotë se kishte përdorur fuqinë tregtare të SHBA për të arritur marrëveshje paqësore.
Ai ka theksuar se aktualisht po zhvillohen bisedime intensive për të arritur paqe mes Izraelit dhe Iranit, një tjetër konflikt i gjatë në Lindjen e Mesme, për të cilin pretendon se do të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes, duke u zotuar:
“Do të kemi PAQE, së shpejti, mes Izraelit dhe Iranit!”
Duke përfunduar deklaratën, Trump tha se shpesh nuk merr meritat që i takojnë, por se “njerëzit e kuptojnë”. Ai e mbylli fjalën e tij me një thirrje politike: “MAKE THE MIDDLE EAST GREAT AGAIN!”