Deputetët mblidhen sot për tentativën e 29-të të konstituimit të Kuvendit

09.06.2025

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në atë që shënon përpjekjen e 29-tëpër konstituimin e Legjislaturës së Nëntë.

Kjo seancë vjen pas dështimeve të njëpasnjëshme për të zgjedhur kryesinë e Kuvendit, duke lënë institucionin më të lartë legjislativ të bllokuar.

Të shtunën, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ftoi edhe një herë subjektet politike parlamentare që ende nuk kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor – komision ky thelbësor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. Megjithatë, as kësaj radhe nuk pati propozime nga partitë që po refuzojnë të bashkëpunojnë.

Në votimin e fundit për përbërjen e komisionit, nga numri i deputetëve të pranishëm, 48 votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Ky numër mbetet i pamjaftueshëm për të garantuar krijimin e komisionit dhe, rrjedhimisht, për të vazhduar me procesin e konstituimit.