Pejë, personi humb jetën në aksident, vetura përfshihet nga flakët
Një person ka humbur jetën në orët e para të së dielës, 1 qershor 2025, pas një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në fshatin Pavlan të Pejës.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili foli për indeksOnline, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:20. Një veturë, e cila dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të madhe në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Pavlan, drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin. Si pasojë, vetura është rrokullisur dhe ka përfunduar në një fushë.
Pas rrokullisjes, automjeti është përfshirë nga flakët, duke e bërë situatën edhe më tragjike.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ekipi mjekësor. Fatkeqësisht, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit që ndodhej në veturë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të sakta të vdekjes.
Portali ‘Peja në fokus’ ka publikuar gjithashtu një video nga vendi i ngjarjes, ku shihet automjeti i përfshirë tërësisht nga flakët. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti fatal.