Superliga e Kosovës mbërrin në fund, Malisheva në Evropë, Suhareka bie, Llapi në barazh
Sot është mbyllur xhiro e fundit e Superligës së Kosovës në futboll, duke vulosur përfundimisht renditjen dhe duke qartësuar skuadrat që do të marrin pjesë në garat evropiane, ato që bien nga liga dhe ekipin që do të luftojë në barazh për mbijetesë.
Malisheva ka shkruar histori duke u bërë skuadra e katërt nga Kosova që siguron pjesëmarrjen në garat e kontinentit. Barazimi i sotëm i mjaftoi për të zënë vendin e tretë në tabelë.
Në fundin e klasifikimit, pas Feronikelit ’74 që kishte rënë më herët, sot edhe Suhareka i thotë lamtumirë Superligës, duke u bërë skuadra e dytë që bie direkt nga kategoria.
Ndërkohë, Llapi e mbylli kampionatin në pozitën e tetë, duke u futur në zonën e barazhit për mbijetesë. Ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina arriti një fitore të rëndësishme 3-1 kundër Dukagjinit, duke siguruar kështu mundësinë për të luftuar për qëndrimin në Superligë në ndeshjen e barazhit kundër Vushtrrisë nga Liga e Parë.
Gjilani, pavarësisht barazimit 2-2 në Ferizaj, nuk arriti të sigurojë një vend në garat evropiane për sezonin e ardhshëm.
Atmosferë feste pati në Gjilan, ku Drita, që tashmë e kishte siguruar titullin e kampionit, festoi triumfin së bashku me tifozët e tyre “Intelektualët”. Festës i dha edhe më shumë shkëlqim dorëzimi i trofeut nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), pas fitores 4-1 ndaj Feronikelit.