Finalja dramatike, Trepça për titullin kampion në Mitrovicë, Bashkimi për barazim serie

21.05.2025

Sonte, nga ora 19:00, palestra “Minatori” në Mitrovicë do të jetë nikoqire e ndeshjes së gjashtë vendimtare të serisë finale të Superligës së Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe Bashkimit.

Ky duel mund të vulosë emrin e kampionit për edicionin 2024/25.

Pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, Trepça kryeson serinë me rezultatin 3-2. Një fitore sonte për mitrovicasit do të thotë festë e titullit kampion para tifozëve të tyre, në një atmosferë që pritet të jetë elektrizuese.

Megjithatë, Bashkimi nga Prizreni vjen në Mitrovicë me vetëm një objektiv: fitoren. Nëse prizrenasit arrijnë të triumfojnë sonte, seria do të barazohet në 3-3 dhe gjithçka do të zhvendoset në ndeshjen e shtatë finale në Prizren, ku do të vendoset kampioni i ri.

E gjithë Kosova sportive sonte do të jetë me sytë nga Mitrovica. Kush do të shkruajë historinë? “Xehetarët” do të festojnë titullin në shtëpi, apo “Portokallezinjtë” do të bëjnë rikthimin e madh?

Mos e humbni këtë spektakël basketbolli që fillon në orën 19:00!