SHBA ndryshon kursin, nuk do të ndërmjetësojë më drejtpërdrejt mes Ukrainës dhe Rusisë
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar zyrtarisht se nuk do të ndërveprojë më si ndërmjetësues kryesor në negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, duke sinjalizuar një ndryshim të dukshëm në qasjen e Uashingtonit ndaj konfliktit të vazhdueshëm.
Zëdhënësja e departamentit, Tammy Bruce, deklaroi se SHBA po ndryshon “metodologjinë se si kontribuon” në bisedime dhe nuk do të angazhohet më në udhëtime të shpeshta ndërkombëtare për të ndërmjetësuar takime.
“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë, por nuk do të fluturojmë më nëpër botë si ndërmjetës në takime,” tha Bruce. “Tani u takon të dy palëve, ka ardhur koha kur ato duhet të paraqesin dhe zhvillojnë ide konkrete se si t’i jepet fund këtij konflikti. Do të varet nga ato.”
Sipas raportimeve të “The Sun”, zëvendëspresidenti JD Vance ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë nuk ka gjasa të përfundojë shpejt. Ai theksoi se ndërsa administrata Trump kishte arritur t’i ulë palët në tryezën e bisedimeve, SHBA nuk do të udhëheqë më përpjekjet për të ndërmjetësuar paqen.
“Nuk do të shkojë askund… nuk do të përfundojë së shpejti,” u shpreh Vance. “Tani do të varet nga ato që të arrijnë një marrëveshje dhe të ndalojnë këtë konflikt brutal.”
Ky njoftim nga Departamenti i Shtetit shënon një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë. Ky zhvendosje vjen pas paralajmërimeve të mëparshme se Uashingtoni mund të tërhiqej nga roli i tij ndërmjetësues nëse nuk do të kishte përparim të dukshëm në bisedimet e paqes. Tani, SHBA duket se po i lë iniciativën drejtpërdrejt Kievit dhe Moskës për të gjetur rrugën e tyre drejt një zgjidhjeje paqësore. Roli i ardhshëm i SHBA-së do të jetë më shumë mbështetës sesa udhëheqës në procesin e paqes.