“Real Madrid TV” denoncon referimin, gjyqtari i VAR-it “kërcënon” klubin

26.04.2025

Televizioni i Real Madridit (Real Madrid TV) ka ngritur zërin fuqishëm duke denoncuar atë që e cilëson si një “referim të tmerrshëm” që po përjeton klubi.

Sipas mediumit zyrtar të klubit, mënyra sesi gjyqtarët po veprojnë në ndeshjet e Real Madridit është e papranueshme dhe po dëmton ekipin në mënyrë të vazhdueshme.

“Nëse referat nuk do ta ngacmonin rregullisht Real Madridin, kjo nuk do të ndodhte,” thuhet në raportimet e Real Madrid TV, duke nënkuptuar se klubi ndjehet i sulmuar në mënyrë të vazhdueshme nga vendimet e arbitrave. Kjo situatë ka krijuar një “luftë të hapur” mes klubit dhe arbitrave, sipas burimeve pranë klubit mbretëror.

Tensionet janë rritur edhe më shumë pas deklaratave të fundit të gjyqtarit që do të jetë në krye të VAR-it në finalen e Kupës së Mbretit, Gonzalez Fuertes. Në një konferencë për shtyp, Fuertes ka guxuar të lëshojë një mesazh që interpretohet si kërcënim ndaj Real Madridit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth videove të publikuara nga Real Madrid TV, Gonzalez Fuertes ka deklaruar: “Do t’ju tregoj ndjesinë që ka ekipi i gjyqtarëve profesionistë në futbollin spanjoll tani.” Ai më pas ka shtuar: “Ne jemi më të bashkuar se kurrë, ndoshta për shkak të rrethanave që po përjetojmë aktualisht.”

Këto fjalë të Gonzalez Fuertes janë pritur me shqetësim dhe zemërim nga ana e tifozëve dhe drejtuesve të Real Madridit, të cilët e shohin këtë si një konfirmim të paragjykimit të mundshëm në finalen e Kupës së Mbretit. Deklarata e tij, në vend që të qetësojë tensionet, duket se i ka ndezur ato edhe më shumë.

Kjo situatë e tensionuar mes Real Madridit dhe arbitrave pritet të ketë ndikim të mëtejshëm në zhvillimet e futbollit spanjoll dhe veçanërisht në finalen e Kupës së Mbretit. Mbetet për t’u parë se si do të reflektohet kjo “luftë e hapur” në fushën e lojës dhe në vendimet e ardhshme të arbitrave.