Gjykata Kushtetuese i hap rrugën reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës
Një lajm i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë vjen sot nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka dhënë dritën e gjelbër për reformën rrënjësore të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Gjykata ka njoftuar validimin e ndryshimeve të rëndësishme në Ligjin për Këshillin Prokurorial, duke shënuar një moment kyç për të ardhmen e prokurorisë në vend.
Me ndryshimet e validuara, KPK pritet të funksionojë e riorganizuar, me një përbërje që i përgjigjet standardeve më të mira ndërkombëtare dhe profesionale. Reforma synon të vendosë kritere profesionale të qarta për përbërjen e Këshillit, si dhe të forcojë llogaridhënien brenda institucionit.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se reforma e Këshillit Prokurorial do të sjellë përfitime të shumta, duke eliminuar keqmenaxhimin dhe korporatizmin. Ajo theksoi se reforma synon të rrisë profesionalizmin dhe integritetin në sistemin prokurorial, si dhe të forcojë transparencën dhe llogaridhënien, me qëllim final rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shihet si një hap i madh përpara në forcimin e shtetit ligjor në Kosovë dhe në krijimin e një sistemi prokurorial më të pavarur, efikas dhe të besueshëm. Pritet që implementimi i këtyre ndryshimeve të fillojë së shpejti, duke shënuar një erë të re për prokurorinë kosovare.