Ndalimi i 12 serbëve në Prizren, Kryeziu: 10 prej tyre janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve

07.04.2025

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar 16 shtetas serbë gjatë fundjavës, në dy operacione të ndara në Gjakovë dhe Prizren.

Katër prej të arrestuarve rezultojnë të jenë oficerë aktivë të shërbimit të sigurisë së Serbisë, duke ngritur shqetësime për një aktivitet të mundshëm të fshehtë në territorin e Kosovës.

Sipas informacioneve të bëra publike, katër shtetas serbë u arrestuan në Gjakovë, ndërsa 12 të tjerë u ndaluan në Prizren. Të gjithë të arrestuarit udhëtonin me automjete me targa serbe.

Lidhur me arrestimet në Prizren, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, konfirmoi se nga 12 të ndaluarit, 10 prej tyre janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve dhe janë liruar më pas. “Ajo që mund të konfirmoj është se ne i kemi ndaluar 2 persona, ndërsa 10 të tjerë nuk kanë qenë të dyshuar, janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve”, deklaroi Kryeziu për Telegrafin.

Arrestimet kanë ngritur shqetësime në Kosovë, veçanërisht për praninë e oficerëve aktivë të sigurisë serbe në vend. Autoritetet e Kosovës po hetojnë rastin për të përcaktuar motivet dhe aktivitetet e plota të të arrestuarve.