Tentativë kontrabande me emigrantë, familja shqiptare kapet në Gjermani
Një familje shqiptare është ndaluar nga policia federale gjermane në Füssen teksa tentonte të hynte ilegalisht në vend. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, kur një patrullë policie kontrolloi një automjet me targa gjermane në tunelin Reinertshofen, në autostradën BAB 7.
Në automjet udhëtonte një familje e përbërë nga një burrë 38-vjeçar, bashkëshortja e tij 32-vjeçare dhe dy vajza të mitura, 2 dhe 3 vjeçe. Gjatë kontrollit të dokumenteve, shoferi shqiptar rezultoi të kishte një pasaportë të vlefshme dhe leje qëndrimi gjermane. Ndërkohë, bashkëshortja dhe dy fëmijët posedonin vetëm pasaporta shqiptare.
Verifikimet e mëtejshme zbuluan se leja e qëndrimit italiane e gruas, e cila sipas informacioneve fillestare jetonte në Romë, kishte skaduar prej gati një viti. Për më tepër, policia federale konstatoi se të katër anëtarët e familjes ishin të regjistruar si banorë në Frankfurt am Main, pavarësisht se gruaja dhe fëmijët nuk kishin asnjë dokument që të justifikonte qëndrimin e tyre në Gjermani.
Burri 38-vjeçar, i njohur më parë nga policia për hyrje të paautorizuar dhe vjedhje, u ndalua dhe ndaj tij u ngrit kallëzim penal për tentativë kontrabande me të huaj. Pas konsultimit me prokurorinë, ai u la i lirë.
Ndërsa gruaja u raportua për tentativë për të hyrë në vend pa leje të nevojshme. Më pas, ajo u kthye në Austri së bashku me dy vajzat e saj.
Policia federale gjermane ka njoftuar autoritetet kompetente të emigracionit në lidhje me këtë incident.