Gjykata Speciale: Legjitimiteti ynë bazohet në Kushtetutën e Kosovës, po zhvillojmë gjykim të drejtë dhe të paanshëm
Në një konferencë për media të mbajtur nga zëdhënësit e Gjykatës Speciale, Michael Doyle dhe Angela Griep, janë dhënë sqarime të rëndësishme lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Zëdhënësit kanë theksuar se Gjykata Speciale është themeluar mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, duke hedhur poshtë çdo dyshim rreth legjitimitetit të saj. “Pyetja rreth legjitimitetit të Gjykatës gjen përgjigje në Kushtetutën e Kosovës,” kanë deklaruar ata, duke shtuar se roli i Gjykatës është të ofrojë gjykime të drejta, të pavarura dhe të paanshme për individët e akuzuar, të mbrojë dëshmitarët dhe të sigurojë të drejtat dhe dinjitetin e viktimave.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutuar në konferencë ishte natyra e gjykimeve të Gjykatës Speciale. Doyle dhe Griep kanë sqaruar se Gjykata trajton vetëm përgjegjësinë penale individuale, duke theksuar se nuk ka për qëllim të ngarkojë me përgjegjësi grupe etnike, organizata apo komunitete të caktuara.
Gjatë konferencës, u diskutua edhe ankimi i ngritur nga mbrojtja e Hashim Thaçit lidhur me mënyrën se si gjyqtarët kanë bërë pyetje ndaj dëshmitarëve. Zëdhënësit kanë sqaruar se, sipas Rregullores së Punës dhe provave, gjyqtarëve u lejohet dhe madje u kërkohet të bëjnë pyetje, pasi kjo është pjesë e rolit të tyre për të përcaktuar të vërtetën. “Kufizimi i aftësisë së tyre për të bërë pyetje do të ndërhynte në rolin e tyre si gjetës neutral i fakteve,” kanë theksuar ata.