Gjermani, arrestohet 38-vjeçari nga Kosova, përdori letërnjoftim bullgar të falsifikuar për të siguruar punë

02.04.2025

Një 38-vjeçar nga Kosova është arrestuar në qytetin gjerman të Immenstadt pasi u zbulua se kishte përdorur një letërnjoftim bullgar të falsifikuar.

Punonjësi i zyrës së regjistrimit të qytetarëve vuri re mospërputhje në dokumentin e paraqitur dhe njoftoi policinë kufitare të Pfronten.

Pas një hetimi të mëtejshëm, policia konfirmoi se letërnjoftimi ishte një falsifikim i plotë. Burri u arrestua disa ditë më vonë dhe u zbulua se ishte një shtetas kosovar me të dhëna personale paksa të ndryshme. Ai pranoi se kishte marrë dokumentin e falsifikuar për të siguruar punë në Gjermani.

Punëdhënësi i tij kishte supozuar se letërnjoftimi bullgar ishte autentik. Pas trajtimit të çështjes dhe pagimit të një depozite sigurie, burrit iu dha një afat për largim vullnetar. Ai duhet të largohet nga Gjermania sepse qëndronte ilegalisht në vend si shtetas kosovar.